Emisioni investigativ “Stop” i transmetuar në TV Klan ka denoncuar mbrëmjen e sotme rastin e Çerdhes Nr.51, në kryeqytet.
Nga problematika e paraqitur, bëhet me dije se kjo çerdhe është pa oborr dhe mbi të gjitha është shndërruar në një parking makinash.
Mësohet se me anë të një vendimi, oborrit të kësaj çerdheje i ka dalë pronari dhe si rrjedhojë ka ndryshuar funksionin e mëparshëm.
Emisioni “Stop”, rikujton se të vetmit që vuajnë mungesën e një oborri të tillë janë fëmijët e kësaj çerdheje, pasi e kanë të pamundur të shfrytëzojnë hapësirën përreth tyre.
“Stop”, gjithashtu ka denoncuar edhe rastin e Kopshtit Nr.24 në Tiranë.
Nga pamjet e ofruara nga gazetarët e emisionit, kopshti në fjalë nga para dukej i sistemuar, i lyer dhe i rregulluar, por…
Nga pjesa e pasme e tij, oborri i kopshtit të fëmijëve të kryeqytetit, edhe ai ishte shndërruar në një parking makinash.
Emisioni “Stop” ka vazhduar edhe me një tjetër denoncim për sa i përket Kopshtit Nr.17 në Tiranë.
Sipas emisionit, bëhet me dije se në vitin 2012 ky kopsht u fut në planin e rikonstruksionit me afat 8 mujor. Por, pas 4 vitesh, ky kopsht vazhdon te jetë ende në një gjendje të tillë. /Opinion.al