Me 26 Prill emisioni investigativ “STOP” solli historinë e trishtë të nënë Faries, një grua e moshuar dhe e vetme, e cila prej 11 vitesh jetonte në mëshirë të fatit, pa ushqim, pa veshmbathje dhe pa një strehë mbi kokë.
Ajo rrëfeu se banesë për të ishte rruga, në kohë me shi apo me diell, ndërsa e pikëlluar ajo tha se nuk dëshironte të jetonte më sepse kjo jetë po e torturonte.
Nëse muaj më parë kjo zonjë u përlot për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej, sot në sytë e saj ka lotë gëzimi.
Pas transmetimit në emisionin “STOP” disa qytetarë u sensibilizuan dhe “shtrinë dorën” për nënën e lënë në harresë.
Ata i siguruan asaj një banesë të vogël dhe modeste, por me një dashuri të madhe, në qytetin e Lezhës.
E përlotur nga gëzimi dhe mirënjohja ndaj këtyre donatorëve, nënë Faria i falënderon përzemërsisht ata që i dhanë një thesar që e kishte ëndërruar prej kohësh, një strehë ku të fuste kokën.
Ajo tashmë ndihet më mirë, e ushqyer dhe e strehuar falë këtyre njerëzve me zemër të madhe.
Por nuk është vetëm rasti i nënë Faries ai që “STOP” sjell në vëmëndje këtë radhë, pasi disa donatorë të tjerë kanë ndihmuar edhe zonjën Zade Kodra, nga fshati Domën i Komunës Postribë të Shkodrës. Rast ky i transmetuar vetëm pak ditë më parë.
Zade Kodra jetonte me dy fëmijë jetim dhe në kushte tepër skandaloze . ndërsa si ndihmë nga shteti, ajo merrte vetëm 20 mijë lekë të vjetra në muaj.
Ajo tashmë falë ndihmës, gëzon një banesë të re.
Ndërsa një zonjë me emrin Shpresa, i ka arreduar asaj shtëpinë me shtretër dhe aksesorë të tjerë. Një tjetër ndihmë për të ka ardhur nga një emigrant në Itali, i cili i ka dërguar asaj 200 euro.
Zonja Zade Kodra shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e saj për të gjithë ata njerëz bujarë që e ndihmuan.