Çudirat në vendin tonë duket se nuk kanë të mbaruar!
Ju kujtohet telekomendia shqiptare dashuri me krisma, ku personazhi kryesor Cekja, në rolin e babait, del vullnetar për të shlyer vitet e burgut të të birit?
Emisioni investigativ “STOP” sjell një situatë të ngjashme me këtë telekomedi, por në këtë rast i biri duhet të shlyejë vitet e burgut të babait.
Gëzim Xhepexhiu është dënuar në mënyrë të padrejtë për një ndërtim pa leje që ka bërë babai i tij, zoti Avni Xhepexhiu.
Për mikrofonin e stop, Gëzim Xhepexhiu pohoi se babai i tij kishte ndërtuar pa leje një hotel llixhash në fshatin Kërpicë të Gramshit, por si i pandehur që ka thyer ligjin është marrë i biri, emigrant në Itali.
Ky i fundit thotë se babai i tij e ka pranuar përpara gjykatës se ndërtimin pa leje e ka bërë ai, por gjykata nuk është bindur duke parë moshën e tij të thyer dhe ka vendosur që këtë dënim ta shlyejë i biri.
“Ndërtimin e ka bërë babai se unë jam emigrant në Itali dhe burgun e bëj unë”- thotë Xhepexhiu.
Ai gjithashtu tha se në dosjen që ka Gjykata e Apelit, në asnjë vend dhe në asnjë dokument nuk figuron emri i tij, por ai i babait.
Gëzim Xhepexhiu është i papërfshirë, thjeshtë po kryen dënimin pasi babai i tij është i moshuar.
Gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, ndërsa pritet lëshimi i urdhër-arrestit për Gëzim Xhepexhiun.
“Jam i detyruar të pres urdhrin dhe t’më hapin dyert e burgut” -thotë ai.
Ai i bën thirrje Presidentit, Ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm që ta rishikojnë edhe njëherë problemin e tij.