Teksa policia vazhdon të hetojë mbi masakrën e Elbasanit tre ditë më parë, fakte të reja dalin në dritë për të shkuar drejt zbardhjes së ngjarjes, e cila ka në fokus kryesisht konfliktet e vjetra mes familjes Mema dhe Capja.
Mendohet se kjo ngjarje, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë është kryer në një hark të shkurtër kohor, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë, flasin për një BMW me targa angleze, e cila lëvizte nga nga Elbasani në drejtim të Librazhdit.
Sipas “Vizion plus”, që sjell edhe rindërtimin grafik të ngjarjes në videon më poshtë, janë të paktën tre personat që kanë qëlluar drejt lokalit:, 2 prej tyre kanë zbritur nga makina, ndërsa i treti ka qenë shoferi, i cili ka qëlluar pa zbritur nga mjeti.
Menjëherë pas krimit, kamerat e sigurisë tregojnë se automjeti është larguar bashkë me vrasësit me shpejtësi normale në drejtim të Librazhdit. Sipas hetuesve, edhe pse janë gjetur tre kallashnikovë njëri prej të cilëve nuk ka shkrepje, pritet ekspertiza për të konfirmuar se të tre armët janë të atentatorëve.
Ekspertët kanë ngritur dyshime mbi itinerarin e ndjekur nga vrasësit dhe dyshojnë se ata mund të jenë larguar edhe në drejtim të Parkut të Krastës, duke humbur përfundimisht gjurmët.