Ministri i Punëve te Brendshme Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të policisë zgjodhën ta bëjnë në një mënyrë ndryshe dhe të veçantë mbylljen e Panairit të Policisë së Shtetit i cili për dy ditë me radhë shpalosi për herë të parë për publikun mjetet e punës dhe atë se cfarë bëjnë realisht efektivët blu në përditshmërinë e tyre.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte ngritur terreni i duhur edhe për zhvillimin e “Paintball”, një loje që daton prej vitit 1980 e që ka të bëjë me eliminimin e kundërshtarit me armë të mbushura me bojë. Vetë ministri Tahiri ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim me kostumin zyrtar, u bë pjesë e lojës duke veshur kominoshet ushtarake dhe maskën mbrojtëse për fytyrën. Kundërshtarët e tij në fushë? Gazetarët e kronikës.
Të ndarë në mënyrë të barabartë 5 lojtarë me 5, ministri ishte në skuadër me Ervin Hodaj drejtorin e Policisë së Tiranës, Ermal Muçën zëvendësdrejtor, Erlis Herenin këshilltar i ministrit dhe një gazetare. Në krahun kundërshtar qëndronin 5 gazetarët që në përditshmërinë e tyre mbulojnë lajmet e “kronikës së zezë”.
http://www.dailymotion.com/video/x4fcd7d_video-1465454592_auto
Kjo ndarje u realizua vetëm në pjesën e parë të lojës ku skuadra e ministrit me drejtuesit e policisë dolën fitues. Por si për të ruajtur balancat e për të pasur një lojë të ndershme, zv.drejori i Policisë së Tiranës ju bashkua grupit të gazetarëve duke u këmbyer me një prej tyre.
Këtu “beteja” u bë edhe më interesante dhe e fortë, saqë ministri u qëllua dhe skuadra e tij humbën në pjesën e dytë. Ajo që surprizoi edhe më shumë ishte finalja qe i dha fitoren, ku ministri i Punëve të Brendshme arriti të qëllojë thuajse të gjithë lojtarët kundërshtarë.
Ndryshe nga grupi i gazetarëve, disa prej të cilëve ishin për herë të parë në fushën e “Paintball”, ministri nuk “riskoi” të luante pa një strategji. Me një punë në grup ndarja e detyrave ishte edhe më e thjeshtë, duke përcaktuar kush mbronte “krahët” e shokut të skuadrës e kush do sulmonte nga pozicione strategjike. Ministri qëndroi në pozicion të parë, në sulm, por goditja e fundit që i dha kundërshtarëve në lojë kaloi çdo pritshmëri. Ai arriti të futet në terrenin e tyre e t’i qëllojë ata pas shpine, edhe zv.drejtorin e Policisë së Tiranës – Ermal Mucën – kundërshtari të cilit skuadra e ministrit i druhej më shumë.
Forcat RENEA asistuan për të ndihmuar gazetarët në mënyrën se si duhej të përdornin armën e përshtatur për lojën, por edhe duke i njohur ata me “sekrete” se si të dilnin fitues. “Paintball” është një lojë që zhvillohet edhe për stërvitjen e efektivëve, të cilët ndajnë rolet në situata të improvizuara siç është kapja e të dyshuarve të rrezikshëm./ G.Malaj/ Express