Dy ditë pas publikimit nga tvklan.al të pamjeve nga kamerat e sigurisë, të një vjedhjeje të ndodhur në një dyqan në zonën e ish – Bllokut, prindërit e autorit kanë kthyer paratë dhe disa prej sendeve, që ndodheshin në portofolin e shitëses.
Pasi kanë parë pamjet e publikuara të shpërndara në rrjetet sociale, prindërit e autorit, një 28 – vjeçar me banim në Durrës kanë vajtur në dyqan tek shitësja e dëmtuar dhe fillimisht kanë kërkuar falje për ngjarjen dhe më pas kanë premtuar kthimin e sendeve të vjedhura.
Pak orë më vonë, vëllai i autorit sëbashku me prindërit kanë kthyer paratë, por jo dokumentet dhe portofolin, të cilat 28 – vjeçari i kishte hedhur poshtë një ure. Për mungesën e tyre ata kanë dëmshpërblyer financiarisht shitësen me para të tjera.
Të vetmen kërkesë që kanë shfaqur është që çështja mos të ndiqet më penalisht nga shitësja.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se 28 – vjeçari, në vitin 2012 është dënuar me 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale, pasi në një dyqan në qytetin bregdetar kishte arritur të vidhte një kompjuter.