Autori i vrasjes së dy vëllezërve, dy ditë më parë në zonën e Postribës është ende në kërkim nga policia. Në operacionin për kapjen e tij janë përfshirë RENEA, FNSH-ja dhe Policia e Shkodrës, ndërsa momentalisht forcat e shumta të policisë janë vendosur në komunën Shllak, ku mendohet se është parë edhe autori i vrasjes.
Për shkak të motit të keq gjatë ditës së sotme nuk është përdorur helikopteri. Për pasojë forcat kanë operuar në terren të vështirë malor duke lëvizur me këmbë, teksa kanë kryer 8 kontrolle banesash të braktisura dhe 5 kontrolle banesash të banuara.
Autori, Esat (Aleksandër) Dushaj, është person me precedent penal dhe lëviz i armatosur.
Ai u zuri pritë dhe ekzekutoi dy vëllezërit Shkami, sepse njëri prej tyre refuzoi t’i jepte të bijën për martesë.