Në kuadër të operacionit policor të koduar “Parts 21”, është arrestuar në flagrancë 42-vjeçari me iniciale M. A., banues në Vlorë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe proceduriale, si dhe dokumentimit me pamje filmike, të kryera gjatë hetimit proaktiv, ka rezultuar se i arrestuari kishte siguruar një ambient (servis makinash) në fshatin Qeparo, ku pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në doza për ta shitur më pas kryesisht në lokalet e natës në Himarë.
Gjatë operacionit u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. Ç., 37 vjeç, banues në Qeparo, pronar i servisit të makinave, i cili ia kishte lënë këtë ambient në dispozicion 42-vjeçarit, për të përgatitur lëndën narkotike si dhe e ndihmonte atë me shpërndarjen, duke iu shmangur kontrolleve të Policisë.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike, dy aparate celularë dhe një automjet tip “Benz”. Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.