Tre ditë pas publikimit të videos tragjike, ku një fëmijë 3 vjeç u dhunua barbarisht nga Administratorja e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani, politikanët shqiptarë nuk kanë një zgjidhje që s’i duhet të evitohen këto raste. Para fillimit të seancës plenare të ditës së sotme, gazetarja e “STOP” ka pyetur disa politikanë lidhur me rastin në fjalë dhe se si do të reagonin ata, nëse do të ishte fëmija i tyre në atë situatë. Përveç se thonë se e dënojnë dhunën, masa konkrete asnjë nuk propozon.
Harito: “Është gjë shumë e rëndë dhe gjëja e parë, prindërit duhet të verifikojnë që kopshti ku çojnë fëmijët është i licensuar. Është akti i parë.”
Edmond Spaho: “Po sigurisht nuk ndihemi mirë.”
Xhemal Qefalia: “Veprime të tilla janë absolutisht të dënueshme dhe duhen marrë masa urgjente jo vetëm për rastin konkret, por duhen marrë masa urgjente edhe për sa i përket kontrollit në institucione të tjera në të cilat mund të ketë abuzime të tilla.”
Edi Paloka: “Ajo që do të shtoja unë është që do ishte mirë që këta njerëz me po kaq forcë të reagonin edhe kur shohin aktet e dhunës të Kryeministrit Rama.”
Dashamir Shehi: “Duhen rritur kontrollet, licencat duhen dhënë me rregull. Kjo të shërbejë për të inciciuar një eksperiencë të re administrative.”
Mimoza Hajdarmataj: “Është e tmerrshme është skandaloze.”
Gazetarja: Çfarë do të bënit ju po të ishte fëmija juaj?
Mimoza Hajdarmataj: “Nuk e di. Nuk mund të shprehem tani. Në ato momente do të ishte shumë shumë e rëndë. Nuk do të mjaftohesha vetëm t’i drejtohesha “STOP-it”
Erion Braçe: “A po flasim për barbari? Kushdo që është prind është ndjerë keq dhe natyrisht kushdo që është prind kërkon që institucionet shtetërore, padiskutim, nga i pari deri tek i fundit të fillojnë të bëjnë kontrollin e çdo institucioni ilegal në territor.”
Myqerem Tafaj: “Këto janë pamje të shëmtuara, sjellje krejtësisht të padenja për një edukatore.”
Dashamir Peza: “Shqiptarët kanë qenë unik në reagimin e tyre lidhur me këtë ngjarje të shumë tronditëse. Shumë e vështirë kur e mendon, thua do të bëj gjënë më ekstreme të mundshme sepse në fund të fundit prindi për fëmijën e bën edhe atë që nuk mund të imagjinohet. Po, mungesa e legjitimimit të biznesit është përgjegjësi e politikës. Duhet të ketë përgjegjës lidhur me faktin se ky biznes ekziston i pakontrolluar, i palicensuar, i palegalizuar.”
Liljana Elmazi: “Ishte e tmerrshme. Një monstër, një përbindësh, nuk e di se çfarë ishte ajo administratorja. Nuk e imagjinoj dot se çfarë mund t’i kisha bërë unë asaj.”
Esmeralda Shkjau: “Nuk ndihem për të dhënë një koment sepse ishte një moment i vështirë për të gjithë ne për ta parë, imagjino për atë fëmijë që ishte në ato kushte.”
Mimi Kodheli: “Të them të drejtën unë nuk e kam parë sepse do ta kisha trishtimin shumë më të madh se sa ç’e kam edhe pa e parë. Ma kanë shpjeguar, nuk gjej fjalë për të shpjeguar këtë fenomen që nuk është fenomen vetëm i asaj zonjës.”
Klodi Spahiu: “Nuk ka prind që nuk do të reagonte për fëmijët. Unë kam dy fëmijë të mrekullueshëm që nuk do lejoja njeri t’i afrohej, jo më t’i prekte.”
Eduard Halimi: “Jam tronditur nga klithmat e atij fëmije që qante. Absolutisht është përgjegjësi e jashtëzakonshme e shtetit, i cili duhet të kontrollojë se nuk ka gjë më të shtrenjtë se fëmijët, për çdo prind. Shqipëria ka ligje jashtëzakonisht shumë, problemi qëndron tek monitorimi i zbatimit të ligjeve.”
Ylli Manjani: “Dhuna është e dënueshme dhe kaq.”
Jozefina Topalli: “Është një çështje shumë më e madhe se sa Anjeza, një dhunë që fillon kudo, në çdo cep të vendit tonë dhe është legjitimuar.”
Gazetarja: A jeni përgjegjës, se fundja ju jeni ligjvënësit.
Jozefina Topalli: “Të gjithë jemi përgjegjës.”
Albana Vokshi: “Absolutisht skandaloze, është e papranueshme. Duhet të bashkohemi në mënyrë që të marrim masa për t’i parandaluar herë të tjera. As që e mendoj veten në ven të atij prindi, as nuk dua ta mendoj.”
Oerd Bylykbashi: “Është e paprecedentë, kur e sheh është vërtet tronditëse. Kap limite të reagimit të cilat janë të papërshkrueshme.”