Tre mjekë ortopedë janë vrarë në një atentat nga persona të paidentifikuar në lokalin e një hoteli në Rio de Janeiro. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një mjek tjetër.
Atentati është regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit, ku shihen 3 persona të armatosur që zbresin nga një SUV dhe hapnin zjarr pa asnjë paralajmërim.
Në vendngjarje u gjetën më shumë se 30 gëzhoja që u qëlluan nga vrasësit në më pak se 30 sekonda.
Dy nga mjekët ndërruan jetë në vendngjarje, një i tretë në spital, teksa personi i katërt në tavolinë arriti të shpëtonte pas një ndërhyrje, ndonëse kishte marrë 3 plumba në trup.
Sulmi i armatosur ndaj mjekëve është i paqartë, teksa viktimat kishin shkuar në Rio për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për ndërhyrjet në gju.
Dëshmitarët në vendngjarje treguan për hetuesit se agresorët pasi zbritën nga makina nuk folën asnjë fjalë me viktimat, por nisën të qëllonin pa asnjë paralajmërim.