Policia e Tiranës ka bërë publike pamjet nga operacioni i koduar “RANISHTJA”, nga ku u vunë në pranga 10 zyrtarë të lartë të hipotekave, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në pamje duken personat e akuzuar teksa shoqerohen nga efektivët e policisë.
Mbi ta rëndon akuza e abuzimit me detyrën funksionale, pasi kanë falsifikuar dhe tjetërsuar 36 hektare tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille Kavajë.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, Sektori për Hetimin e Korrupsionin në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, si dhe Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Tiranës, si në çdo hetim tjetër nën drejtimin dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Kavajë, në kuadër të procedimit penal nr.92 të vitit 2017, organizuan operacionin “Ranishjta”.
Gjatë hetimit pro – aktiv 9 mujor, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën funksionale, kanë falsifikuar dhe tjetërsuar 36 hektare tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille Kavajë.
Këtë sipërfaqe e kanë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Kavajë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë.