Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur pak ditë më parë në aksin rrugor Uji i ftohtë-Skelë, të qytetit të Vlorës, ku një makinë e tipit “BMW X6” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor të hapur për ndërtimin e “Lungomares”.
Duke folur për aksidentin ditën e sotme në emisionin Opinion Ervin Dervishi specialist i sigurisë rrugorë në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë thotë se ajo është rrugë në ndërtim dhe ka mungesë të sinjalistikës dhe ndriçimit.
“Ky është një segment rrugor që prej gati 1 viti është në rikonstruksion. Kompania që po merret me rregullimin e rrugës është një firmë nënkontraktuale.
Sipas informacioneve policore gropa është hapur atë ditë, deri në orën 14 rruga ka qenë e devijuar. Është vendosur devijimi për të ndarë përgjegjësinë e palëve. Ndriçimi mungonte dhe nuk po e fshehim që mungonte, sepse jemi në një segment që është në ndërtim e sipër”, është shprehur Ervin Dervishi.
Nga ky aksident mbetën i plagosur drejtuesi Petro Bego, 21 vjeç, dhe ndërroi jetë pasagjeri Kristo Panajoti, 17 vjeç./opinion.al