Ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Ai është transportuar me furgon policie nga ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, drejt GJKKO, ku do të jepet vendimi i masës së sigurisë ndaj tij, për çështjen e ish-kompleksit “Partizanit”.
Për këtë çështje, Sali Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi. Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të marrë përfitime të parregullta.
Po ashtu në ambientet e GJKKO ka mbërritur edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, për të cilin SPAK ka kërkuar masën detyrim paraqitje. Ndërtuesi akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash.