Mbrëmjen e sotme, emisioni Opinion ka zhvilluar temën mbi pajisjen e përgjimit e cila me shumë gjasa do dominojë javën politike që sapo nisi.
E kthyer në një debat mediatik, në një debat legal, ku janë përfshirë Ministria e Brendshme, Prokuroria, Presidenti i Republikës, Parlamenti dhe partitë politike, përgjimi po dominohet më shumë nga misteri mbi pajisjen që e kryen atë dhe ekzistencën e saj.
Në vazhdën e këtij debati, gazetari Artan Hoxha tha se kjo pajisje shërben për të ndihmuar policinë në rastet kur ajo e ka shumë të vështirë të indentifikojë komunikimin me element të caktuar kriminal.
Hoxha bëri me dije se interforca italiane i ka hequr modulin për përgjim bisedash audio, për përgjim të bisedave në Viber apo WhatsApp , por e ka lënë vetëm për identifikim të numrave të telefonave.