Një video e publikuar nga BBC, tregon luftën e vazhdueshme të mjekëve italianë kundër COVID -19, shkëputur nga xhirimet e kryera prej një mjeku gjatë kohës së kulmit të pandemisë në vend.
Matia 18-vjeçar është një prej rasteve më të reja në moshë. Ai u shtrua në spital në Mars, ndërkohë që pjesët e poshtme të mushkërisë së tij kishin shfaqur inflamacion. “Në këtë repart ne nuk shohim kurrë njerëz që shërohen. Ata ose vdesin ose transferohen”, tregon një punonjëse e terapisë intensive.
“Kjo është diçka e rëndë në trupin e këtij fëmije, sepse 18 vjeç je ende një fëmijë. E vetmja gjë që mund të bësh është t’i mbash dorën dhe t’i thuash se gjithçka do të shkojë mirë. Edhe pse e di që nuk është gjithmonë kështu”, tregon një tjetër punonjëse.
“Është thuajse normale të ketë vdekje pas një moshe të caktuar. Por të jesh përballë vdekjes së një 18-vjeçari është e tmerrshme”, rrëfen një infermiere në shtratin e Matias.
“Nuk ka më shtretër. Ai është 35 vjeç, është i ri. Për fat të keq më duhet të zgjedh nëse do të shtroj atë apo një 85-vjeçar. Dhe do të zgjedh 35-vjeçarin”, rrëfen një mjeke që trajton një rast tjetër, duke shtuar se në të tilla zgjedhje janë prej një muaji.
Ndërkohë Matia arrin të marr veten pas 12 ditësh në terapi intensive dhe kujtimi i tij i fundit para se të binte në gjendje të pavetëdijshme ishte ky: “Mbaj mend që dërgova një mesazh, ja dhashë telefonin mjekëve. Pastaj pashë tubin e oksigjenit përpara fytyrës”.
Matia e la spitalin në Prill dhe vijoi rekuperimin në shtëpi./Opinion.al
View this post on Instagram