Rreth 30 metra larg bregut të “Plazhit të Vjetër” në qytetin e Vlorës, është gjetur një makinë në orët e parë të mëngjesit. Mjeti i tipit fuoristradë, “Lexus Infite”, me targa amerikane u identifikua rreth orës 7 e 20 minuta. Në vendngjarje shkoi policia e Vlorës, ajo Kufitare dhe Guardia Di Finanza.
Nxjerrja e mjetit nga uji u bë e mundur përmes këtij karrotreci rreth orës 13 e 15, ku përveç forcave të policisë, ishin qytetarë të shumtë për të parë operacionin.
Makina është transportuar në komisariatin e Vlorës. Pas verifikimeve të para, nuk është gjetur asnjë lëndë e kundra-ligjshme në brendësi të saj.
Nga informacionet e policisë, mendohet se makina përfundoi në det në një largësi prej 30 metrash nga bregu, duke tërhequr ndoshta një karel që mban sipër mjete ujore si gomone apo skaf.
Nuk përjashtohet as pista, se makina me targa amerikane është përdorur për të tërhequr në thellësi një mjet lundrues të ngarkuar me drogë.
Policia ende nuk ka të dhëna se kush është pronari i makinës. Ajo po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes në qytetin bregdetar të Vlorës.