Xhenoa dhuroi surprizën më të madhe të javës së 14 në kampionatin italian të Serisë A. Skuadra e drejtuar nga kroati Ivan Juriç mposhti në shtëpi kampionët e Juventusit me rezultatin e pastër 3-1. Argjentinasi Xhovani Simeone, djali i trajnerit të Atletiko Madridit, Diego Simeone, realizoi 2 goloa në minutat 3 dhe 13 duke shtangur ekipin e drejtuar nga Masimiliano Alegri.
Në minutën e 29 ishte Aleks Sandro i cili me autogolin e tij e mbylli pjesën e parë në avantazh 3-0 për vendasit. Në të dytën bardhezinjtë arritën të ngushtonin diferencën me anë të Pjaniç në minutën e 82-të, por vetëm kaq.
Ndërkohë në takimet e tjera, Atalanta, e cila luante pa portierin Berisha të dëmtuar, fitoi në transfertë me rezultatin 0-2 ndaj Bolonjës. Kaljari fitoi 2-1 ndaj Udinezes, ndërsa Krotone barazoi në shtëpi 1-1 me Sampdorian.
Pas këtyre takimeve, Juventus mbetet në krye të klasifikimit me 33 pikë, duke ngushtuar në 4 pikë diferencën me Milanin, ndjekësin më të afërt. Ndërkohë Atalanta u ngjit provizorisht në vendin e 4-t me 28 pikë, vetëm 5 pikë larg kreut të klasifikimit, 1 pikë larg vendit të dytë dhe me pikë të barabarta me Lacion e vendit të 3-të.