Supersfida e futbollit anglez, mes Mançester Sitit dhe Çelsit, është mbyllur me një fitore të madhe 3-1 të “Bluve”.
Kryesuesit e Premier Ligës, në formë perfekte prej shumë javësh, kanë kryer një përmbysje spektakolare, në një kohë që shkuan në pushim në disavantazh.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar dhe si zakonisht u nevojit një gafë mbrojtëse, nga ato që në Angli nuk mungojnë kurrë, për të prishur ekuilibrin.
Mbrojtësi Geri Kahill shënoi në portën e vet në fundin e pjesës së parë dhe u duk se rruga e Sitit u shtrua.
Megjithatë, reagimi i Çelsit ishte fenomenal, duke përmbysur me gola nga Diego Kosta, Uillian e Hazard, duke siguruar fitoren e tetë rresht dhe duke nisur shkëputjen në krye. Pengu i madh i Guardiolës ishte një traversë e goditur nga Kevin De Brujne pikërisht para barazimit të Çelsit.
Një fitore spektakolare, me Çelsin që tregon se është tashmë pretendent madhor për titull, ndërsa Siti u shpërbë në pjesën e dytë dhe në fund humbi qetësinë, me mesfushorin Fernandinjo dhe sulmuesin Aguero që dolën me karton të kuq në shtesë.