Tre ditë nga aksidenti me 2 të vdekur e 4 të plagosur, në vendin ku ndodhi tragjedia nuk ka asnjë ndërhyrje.
Barrierat mbrojtëse nuk ekzistojnë. Ato që ishin, të konsideruara jashtë standardeve, u hoqën pasi u dëmtuan nga goditja e makinës. Për shkak të amortizimit, nuk arritën ta mbanin makinën në rrugë.
Në vend të tyre tani gjenden disa tufa lulesh për të përkujtuar dy të rinjtë që humbën jetën, jo vetëm nga shpejtësia me të cilën po udhëtonin, por edhe për shkak se institucionet që duhet t’u garantojnë elementet e sigurisë në rrugë, nuk vepruan.
Edhe semaforët vazhdojnë të jenë jashtë funksionit, pavarësisht alarmit të ekspertëve rrugore dhe policisë.
Asnjë punonjës i Autoritetit Rrugor Shqiptar apo firmës që ka fituar tenderin e këtij institucioni për mirëmbajtjen e rrugës nuk shihet duke punuar për të përmirësuar sinjalistikën. Në këtë mënyrë kjo rrugë do të vazhdojë të mbetet e rrezikshme për drejtuesit e automjeteve dhe burim potencial për aksidente fatale. /Tv Klan