Një operacion antidrogë i koduar si “Cudhi” u zhvillua nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me Komisariatin e Krujës për t’i prerë rrugën, furnizimit të kryeqytetit me kanabis. Dy trafikantë kanabisi të nisur nga Kruja u kapën duke ardhur në Tiranë me thasët e mbushur me kanabis në bagazh dhe sediljen e makinës gati për ta hedhur në tregun e narkotikëve.
I arrestuar është Nuri Hysa, 28 vjeç, banor i fshatit Cudhi dhe në kërkim është shpallur vëllai i tij 32-vjeçar.
“Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte lëndë narkotike nga Kruja për në Tiranë, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin antidrogë të koduar “Cudhi”.
Është arrestuar në flagrancë Nuri Hysa 28 vjeç, banues në fshatin Cudhi, Krujë. Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e vëllait të tij, shtetasin P.H. 32 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Në vendin e quajtur “Kroji i Madh”, fshati Cudhi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Benz, në pjesën e bakazhit dhe sedilet e pasme) u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 46.5 kg marijuanë, e vendosur në 8 thasë lini.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale ” Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim parashikuar në nenin 283/ 2 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë.