Kjo foto që shihni është shkëputur nga një prej 3 videove që Policia dhe Prokuroria e Durrësit ka administruar me dyshimin se 41-vjeçarja, Bedrie Loka, që i dha fund jetës më 3 Janar, është dhunuar nga bashkëshorti i saj Xhemali.
Në foton e siguruar nga Tv Klan, Xhemal Loka shihet në këmbë, i përkulur me gishtin drejtuar nga bashkëshorja, që ndodhet e ulur në divan dhe djali i tyre ndodhet në mes, duke mbajtur të atin që të mos i afrohet më shumë.
I gjithë momenti është filmuar nga djali i vogël i çiftit, i cili ia kishte dërguar videon më pas motrës së tij të martuar.
Prokuroria thotë se këto pamje provojnë se 45-vjeçari e ka dhunuar sistematikisht gruan e tij të ndjerë.
Këtij dyshimi i bashkangjitet dhe deklarata e një prej fëmijëve pas vetëvrasjes, i cili rrëfeu se disa ditë përpara ngjarjes kishte parë të atin e tij ta kërcënonte me thikë nënën e tij.
Pavarësisht pretendimeve të prokurorisë, vetë Xhemal Loka edhe në seancën gjyqësore këtë të hënë, ku u la në burg, mohoi ta kishte dhunuar.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzat “shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjate kontrolleve në shtëpi iu gjet një armë automatike, vepra këto të cilat 45-vjeçari i mohon kategorikisht.
I gjithë debati, sipas 45-vjeçarit, ka nisur pas një foto të bashkëshortes së tij që ka qarkulluar në TikTok, ku ajo përflitej për lidhje jashtëmartesore. Përpara gjykatës ai tregoi edhe bisedën e fundit që kishte pasur me Bedrien përpara se ajo t’i jepte fund jetës me fostoksinë.
“I kam thënë nuses mos u mërzit për fotot që janë në TikTok, se dhe mua mund të ma nxjerrin një të tillë. Debate kemi bërë, por kurrë s’e kam dhunuar nusen. Kur u përmend në spital i thashë pse e bëre këtë veprim dhe ajo më tha kam qenë shumë e mërzitur. Një natë më parë diskutova me nusen që do të iki në Greqi. I thashë që kudo të dalësh, në pazar, apo diku tjetër, shoqërohu me një fëmijë, jo vetëm përsa kohë ende fotot e tua janë në TikTok, që askush të mos flasë. Pas kësaj ajo u nxeh dhe në mëngjes ndodhi ajo që ndodhi”, deklaroi ai.
Të njëjtin qëndrim kane mbajtur nena dhe vëllai i Xhemalit.
Por këto deklarata nuk përkojnë me ato të dhëna nga fëmijët e të ndjerës për policinë. Teksa Xhemal Loka do të qëndrojë në burg, prokuroria po heton për të zbuluar motivin e vërtetë të këtij akti dhe për të gjetur edhe autorët e shpërndarjes së materialeve denigruese e bullizuese në TikTok.