Mbrëmjen e 29 nëntorit, policia e Kosovës tha se një shpërthim në një fshat të komunës së Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe, dëmtoi kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u shërben disa qyteteve dhe termocentraleve të vendit, që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi sulmin akt kriminal dhe terrorist, që synonte dëmtimin e infrastrukturës thelbësore të vendit.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulm i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”, tha ai.
Shpërthimi u dënua nga Shtetet e Bashkuara.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, që rrezikon vendin, furnizimin me energji elektrike, që rrezikon ngrohjen dhe furnizimin me ujë të pijshëm”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Bashkimi Evropian e cilësoi shpërthimin një akt terrorist dhe bëri thirrje pwr vënien e autorëve para drejtësisë.
Beogradi mohoi të jetë përfshirë.
“Si shtet serioz, ne nuk ishim të përfshirë në akuza. Nuk kemi thënë dhe nuk do ta them as sot se (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti ka urdhëruar drejtpërdrejt sulmin. Hetimi do të tregojë. Sepse ne jemi duke kryer hetimin tonë, natyrisht. Kemi dyshime të caktuara, por hetimet më në fund do të tregojnë se kush e ka porositur. Besojmë se kemi disa njohuri edhe se kush mund të jetë autori”, tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb tha se vendi i tij ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë. Dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb u arrestuan, dy nga të cilët u dërguan në paraburgim në kuadër të hetimeve rreth shpërthimit. Policia e cila shtoi masat e sigurisë gjithandej vendit tha se gjeti dhe konfiskoi armë e municione gjatë bastisjeve në zonën përreth shpërthimit.
Vitit 2024 filloi dhe u mbyll me tensione në veri dhe rrjedhimisht me tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe mospajtime ndërmjet qeverisë në Prishtinë me aleatët e saj perëndimorë.
Në muajin shkurt hyri në fuqi një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës sipas të cilit, euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Vendimi ngriti shqetësimin e qytetarëve serbë që i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë. Beogradi reagoi me zemërim…
“Qëllimi… është spastrimi etnik i popullatës serbe nga territori i Kosovës, apo si thuhet në Konventën e Gjenocidit, nënshtrimi i qëllimshëm i serbëve ndaj kushteve të padurueshme të jetesës… Me marrëveshjet e Brukselit, Serbia ka të drejtë të financojë institucionet serbe në Kosovë”, tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe sipas tij, çdo pohim i të kundërtës është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike.
Në një videomesazh në gjuhën serbe, ai tha se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin serb, por futjen e tij me thasë përmes kufirit.
“Deri tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, tha kryeministri Kurti.
Diplomacia perëndimore u shpreh e zhgënjyer me atë që e quajti vendim të pa bashkërenduar të autoriteteve në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara kërkuan shtyrjen e zbatimit tw vendimit, ndërsa theksuan se mungesa e bashkërendimit ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin (Albin Kurti) dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e vunë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për të përcaktuar mënyrën e pagesave, por kërkuan një zgjidhje të bashkërenduar në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Por, një seri bisedimesh teknike të ndërmjetësuara nga BE-ja, nuk siguruan një pajtim mes palëve rreth kësaj çështjeje.
Në fillim të muajit gusht policia e Kosovës mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë që vepronin pa licencë në veri të vendit. Posta e Serbisë në Kosovë kryen shërbime postare dhe pagesa të ndryshme për serbët që financohen nga Beogradi zyrtar. Veprimi nxiti sërish reagimin e zemëruar të Beogradit dhe pakënaqësitë e diplomatëve perëndimorë, që kërkuan sërish shmangien e veprimeve të njëanshme.
Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës njoftoi diplomatët perëndimorë për planet e saj për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet komunës veriore të banuar me shumicë serbe dhe asaj jugore me shumicë shqiptare.
Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit, të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë, aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe në jug. Konsultime janë bërë edhe me shqiptarët, edhe me komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Gjithashtu kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuale të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por në anën tjetër, as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se hapja e kësaj ure është e drejtë, e nevojshme, e mirë dhe e dobishme për të gjithë”, tha kryeministri Kurti në një intervistë me Zërin e Amerikës.
Bashkimi Evropian paralajmëroi në muajin gusht se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara.
Që nga qershori i vitit 2023 Kosova është nën masa ndëshkuese për shkak të tensioneve që pasuan dërgimin me forcë të kryetarëve shqiptarë të komunave në zyrat e tyre në fund të muajit maj të atij viti, që u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë, të cilët u përplaswn me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Bashkimi Evropian kishte kërkuar shtensionimin e situatës në veri, largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Por, një nismë për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dështoi, meqë partitë politike serbe bojkotuan një referendum për këtë çështje, që do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja.
Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës
Në muajin maj Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nuk e vuri në rend dite anëtarësimin e Kosovës, ndonëse në muajin prill mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi. Megjithëse qeveria zbatoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i njihte Manastirit mesjetar të Deçanit pronësinë e mbi rreth 24 hektarë toke, që ishte një nga kushtet për përparim drejt anëtarësimit, procesi u bllokua, meqë një pjesë e vendeve anëtare ritheksuan se kusht është hedhja e hapave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit, të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë, aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe në jug. Konsultime janë bërë edhe me shqiptarët, edhe me komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Gjithashtu kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuale të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por në anën tjetër, as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se hapja e kësaj ure është e drejtë, e nevojshme, e mirë dhe e dobishme për të gjithë”, tha kryeministri Kurti në një intervistë me Zërin e Amerikës.
Bashkimi Evropian paralajmëroi në muajin gusht se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara.
Që nga qershori i vitit 2023 Kosova është nën masa ndëshkuese për shkak të tensioneve që pasuan dërgimin me forcë të kryetarëve shqiptarë të komunave në zyrat e tyre në fund të muajit maj të atij viti, që u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë, të cilët u përplaswn me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Bashkimi Evropian kishte kërkuar shtensionimin e situatës në veri, largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Por, një nismë për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dështoi, meqë partitë politike serbe bojkotuan një referendum për këtë çështje, që do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja.
Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës
Në muajin maj Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nuk e vuri në rend dite anëtarësimin e Kosovës, ndonëse në muajin prill mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi. Megjithëse qeveria zbatoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i njihte Manastirit mesjetar të Deçanit pronësinë e mbi rreth 24 hektarë toke, që ishte një nga kushtet për përparim drejt anëtarësimit, procesi u bllokua, meqë një pjesë e vendeve anëtare ritheksuan se kusht është hedhja e hapave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja e arritur në shkurt dhe mars të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, parasheh mes tjerash që Prishtina të fillojë punën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Beogradi të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në tetor të atij viti diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi, ndërsa një ofertë e qeverisë në Prishtinë për hartimin e një dokumenti të ri, nuk u pranua nga udhëheqësit evropianë, të cilët ngulin këmbë në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Por, përpjekjet për të ripërtërirë procesin e ngecur të zbatimit nuk shënuan ndonjë përparim dhe Kosova u gjet nën kritika të diplomacisë perëndimore.
Partitë opozitare në Kosovë kritikuan pushtetin për, siç thanë, sjellje të papërgjegjshme kundrejt detyrimeve ndërkombëtare të marra përsipër në procesin e bisedimeve përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Njëherë thonë e pranojmë, njëherë tjetër nuk e pranojmë, herën tjetër thonë vendoseni ta nënshkruajmë pastaj thonë t’i nënshkruajnë të dyjat, pastaj bëhet obligim i Bashkimit Evropian dhe tash thonë se nuk e pranojnë. Pra, po bëjnë lojëra të cilat po e dëmtojnë vazhdimisht Kosovën si rezultat i papjekurisë politike, si rezultat i paaftësisë diplomatike dhe si rezultat i mendjemadhësisë në sjellje”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi.
“Ka një letër të nënshkruar nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja dhe ekziston po ashtu një letër tjetër nga qeveria nga ministrja e Punëve të Jashtme që e kanë pranuar Asociacionin. Mund të thonë është “non paper” apo jo, mirëpo është pranuar nga qeveria dhe po ju them me përgjegjësi të plotë na e kanë lanë te dera, do të thotë kushdo që vjen, kjo qeveri e ka lanë te dera marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit edhe draft statutin e Asociacionit”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri.
Kryeministri Kurti përsëriti shpesh se Asociacioni nuk mund të shndërrohet në përparësi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Marrëveshja bazike është kryefjala e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë pastaj vijnë të tjerat. Serbia është e interesuar që marrëveshja bazike të harrohet, aneksi i zbatimit të harrohet, dialogu të shkatërrohet dhe asociacioni të vendoset si qerrja para kuajve…”, tha ai.
Mospajtimet e qeverisë së Kosovës me aleatët rreth zhvillimeve në veri, nxitën përplasje edhe brenda vet institucioneve. Në një referencë të qartë të mospajtimeve, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vet Kosovën.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë”, tha ajo.
Veriu dhe aleancat janë bërë tashmë edhe pjesë e fushatës për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen me 9 shkurt.
Proceset në Gjykatën e Posaçme në Hagë
Në fillim të dhjetorit, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, që trajton krimet e luftës në Kosovë, njoftoi se ka ngritur akuza kundër ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për vepra penale të pengimit të drejtësisë.
Njëkohësisht në terren Prokuroria arrestoi tre persona, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës dhe thirri ish ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, për mosbindje ndaj gjykatës.
Në paraqitjen e tij para gjykatës lidhur me akuzat e reja, zoti Thaçi kërkoi që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në proceset që po ndodhin në Hagë.
“E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd. Prandaj, edhe sot unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës. Kërkoj edhe sot nga të gjithë të cilët jemi ulur nga cila do anë apo me cilën do uniformë që jemi në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe Ligjet e Kosovës sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Me 3 prill të vitit 2023 në Gjykatën e Posaçme, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan në vjeshtën e vitit 2020, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Të gjithë të akuzuarit i mohojnë pretendimet e prokurorisë. Deri tani Gjykata e Posaçme ka dënuar dy ish drejtues të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengimin e drejtësisë, ndërsa ka shqiptuar dy aktgjykime për krime lufte.
Ish komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet heqje lirie në dhjetor të vitit 2022, nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Në dhjetor të vitit 2023, Dhoma e Apelit e kësaj gjykate i uli dënimin në 22 vjet, ndërsa në shtator të vitit dënimi u tij u ul në 15 vjet heqje lirie.
Në muajin korrik të këtij viti Gjykata e dënoi me 18 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shala për veprat ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Dhuna ndaj grave
Sipas Kombeve të Bashkuara çdo dhjetë minuta në botë një grua vritet, rreth një në tre gra në botë përjeton dhunë. Pas këtyre numrave ka rrëfime të dhembjes së thellë. Një nga viktimat e dhunës në familje ndërsa foli me Zërin e Amerikës tha se për dhjetë vjet duroi dhunën e vazhdueshme psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti.
“Kur më ka goditur kam qenë në muajin e shtatë të shtatzënisë, e kam pasur djalin e vogël nuk i ka pasur ende një vit. Kur më ka goditur, djali ka bërtitur me të madhe nga zhurma dhe britma ime sepse ka qenë një goditje e tmerrshme. Unë isha shtatzënë por ai nuk e ka menduar a po më godet në bark, në këmbë, në dorë a në të majtë dhe kur më ka goditur më ka sjellë në vend”, rrëfen ajo.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës i tha Zërit të Amerikës se rastet e përsëritura të dhunës po shndërrohen në femicid.
“Neve sivjet na është vrarë një grua në dyert e Qendrës për Punë Sociale, na është vrarë një grua e cila për vite me radhë rastin e ka raportuar në institucione. Mirëpo për shkak të stigmës, për shkak të presionit social që gratë kanë, e ndjera është përpjekur në forma të ndryshme ta shpëtojë martesën e cila fatkeqësisht e çoi deri te vrasja, deri te vdekja e saj”, tha ajo.
Tri gra u vranë gjatë vitit 2024 nga burrat e tyre duke e çuar në 58 numrin e grave të vrara që nga viti 2010. Sipas të dhënave nga policia e Kosovës nga janari deri në muajin tetor të vitit 2024, janë regjistruar mbi dy mijë e 500 raste të dhunës në familje.
Gjatë një veprimtarie në kuadër të fushatës 16 ditëshe kundër dhunës mbi bazë gjinore Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tërhoqi vërejtjen se në vetëm rreth dy për qind të rasteve gjykatësit shqiptojnë dënime me burgim, ndërkaq në 98 për qind të rasteve të dhunës ndaj grave shqiptohen vetëm dënime me gjoba ose me kusht, në vendin që kusht për përparim e ka barazinë e gruas./VOA