Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Altin Kurti, vizitoi Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile, ku u takua me efektivët e Forcave të Armatosura, që angazhohen çdo ditë në ndihmë të komunitetit për përballimin e situatave të vështira emergjente.
Gjatë kësaj vizite, ministri Vengu vlerësoi investimet e kryera në dy vitet e fundit në infrastrukturë, pajisje moderne dhe trajnime të specializuara, të cilat kanë sjellë një rritje të dukshme të kapaciteteve operacionale të kësaj baze.
Ai theksoi se, këta janë vetëm hapat e parë drejt një modernizimi të plotë, ndërsa garantoi vijimësinë e mbështetjes nga qeveria shqiptare për fuqizimin e mëtejshëm të strukturës:
“Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile luan një rol kyç në sistemin kombëtar të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore. Më shumë se 500 efektivë angazhohen çdo vit, në mbi 50 operacione, duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve”, u shpreh ministri Vengu.
Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si një element thelbësor për një reagim të koordinuar dhe efektiv në kohë reale ndaj çdo emergjence.
Në përfundim të vizitës, ministri i Mbrojtjes, shprehu mirënjohje për trupën e BMEC, duke falënderuar efektivët për përkushtimin, sakrificën dhe besimin që përcjellin tek qytetarët shqiptarë.