Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ishte sot i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku u caktoi mbrojtje 6-mujore ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj, i cili u kërcënua me tritol orët e para të ditës së diel.
Në një prononcim për media, Balla ka folur për rastin, duke dyshime se ngjarja mund të jetë e porositur, duke shtuar se ka një organizim nga mbrapa ndaj ka dhënë urdhër që të hetohen të gjitha pistat.
Ndër të tjera, ministri tha se duhet të bëjnë më shumë për të garantuar sigurinë dhe mbështetje ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Duhet të bëjmë më shumë për të garantuar më shumë siguri dhe mbështetje ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Do të ndihesha shumë mirë para opinionin publik, që në orët në vijim të kemi më shumë rezultate për autorin dhe pse jo për porositësin.
E vlerësoj shumë punën që po bëhet në Shkodër nga DVP dhe Prokuroria.
Reforma në Drejtësi po jep rezultatet e veta dhe duhet të kuptojmë se gjyqtarët dhe prokurorët kanë prishur qetësinë e personave që janë pjesë e hetimit dhe vendimit.
Intimidimet mund të bëhen me lëndë eksplozive, me fjalë dhe me deklarata. Nga pallati i drejtësisë kam ardhur të shpreh mbështetjen e qeverisë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
I kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm policisë Muhamet Rrumbullaku,të merren të gjitha masat për të garantuar sigurinë e çdo magjistrati.
Kjo nuk është një ngjarje e thjeshtë, kuptohet se ka një organizim nga mbrapa.
Gjithmonë në pistat që ngre policia, bëhen mbi bazën e dimensioneve, përfshirë dhe mundësinë e zhvillimit të kësaj ngjarje me porosi. Ndaj kam dhënë urdhër të hetohen të gjitha pistat”, tha Balla.