Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës do të hapin dyert e tyre edhe pas orarit zyrtar të mësimit.
Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë nisur të vënë në jetë projektin për kthimin e institucioneve të arsimit publik në qendra komunitare.
Shkolla e parë ku po zbatohet kjo nismë është gjimnazi “Aleks Buda” në Njësinë Administrative 11, e cila ofron kushtet optimale për t’u vënë në dispozicion të komunitetit dhe banorëve të zonës pas orarit të mësimit.
Shkolla është vizituar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka marrë pjesë në 3 kurset që zhvillohen paralelisht në këtë shkollë: “Multilanguage Caffe”, “Pikturë” dhe një workshop mbi Vullnetarizmin.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo është një mundësi që shkollat të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit edhe pas orarit mësimor.