Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot punonjësit e Bashkisë në sheshin “Skënderbej”.
Rama tha se çdo person që punon shumë edhe gabon, ndërsa vlerësoi kontributin e Veliajt për kryeqytetin.
“Duan t’i vënë kazmën reformës në drejtësi, edhe SPAK. Edhe drejtësia e re do të marrë vitet e saj deri sa të ndërtohet dhe njësoj si në të gjithë që në detyrën tonë bën gabime, bën me shumë gabime ai që punon më shumë se ai që s’di ç’është puna, dhe organet e drejtësisë nuk kanë si të jenë të pagabueshëm. E di se gabimet tona nuk shkatërrojnë punën, familje, interesat publike, siç ndodh kur gabon drejtësia, dhe të kërkosh nga një drejtësi e re me kaq pak kulturë europiane dhe në një klimë të hajvanizuar totalisht nga gjykatës dixhital dhe nga opozitarët kallajdaj, që të mos gabojë është njësoj si të hedhësh një fëmijë në ujë dhe t’i thuash mos u lag”,-tha Rama.
Nuk i kurseu akuzat dhe ironitë për opozitën.
“Asnjë buf kënete dhe as ndonjë specie tjetër kënetë nuk e mbulon dot diellin e transformimit kolosal të Tiranës sonë, ku pa mua që e nxora nga koma dhe e ngrita në këmbë, dhe pa Lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, ky qytet nuk do ishte dot kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë të gjithë”,-tha Rama./ Opinion.al