Greta Zimmer Friedman, të cilën e puthi marinari në Times Square në New York të SHBA-ve në njërën nga fotografitë më ikonike të shekullit 20, ka vdekur të enjten në Virgjinia.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i saj Joshua Friedman për Daily News, duke thënë se ajo ishte 92 vjeçare, transmeton Klan Kosova.
Friedman kishte qenë e sëmurë për një kohë të gjatë, por kohëve të fundit kishte marrë edhe pneumoni.
Roli i saj në fotografinë historike ishte shumë aksidental.
Në mëngjesin e 14 gushtit të vitit 1945, 21 vjeçarja Greta Zimmer thuhet se punonte si asistentë në një klinikë dentare. Tërë mëngjesin ajo kishte dëgjuar thashetheme se Japonia ishte dorëzuar, menjëherë pasi SHBA-të hodhën bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Në pasditen e asaj dite, ajo kishte shkuar në perëndim të qytetit për të kuptuar vetë se çfarë po ndodhte.
Sapo ajo kishte hyrë në Times Square, marinari George Mendonsa e kishte kapur dhe e kishte puthur, sepse ishte shumë i lumtur për përfundimin e luftës.
Fotografi Alfred Eisenstaedt e kishte kapur krejt rastësisht këtë moment dhe e kishte publikuar disa javë më vonë. Edhe Friedman edhe Mensonsa për dekada të tëra nuk e kishin ditur për imazhin.
Ishte autori e librit “The Kissing Sailor: : The Mystery Behind the Photo that Ended World War II”, Lawrence Verria, që e vërtetoi se protagonistët e fotografisë ishin Friedman dhe Mendonsa.