Mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare u shua Papa Françesku, Papa i 226-të i Kishës Katolike Romake. Ngjarja pason të dielën e Pashkëve kur ai u shfaq para besimtarëve për urimin. Gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar pas disa javësh qëndrimi në spital, por lajmi ishte i papritur për të gjithë.
Ky detaj u theksua edhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me programin “Rudina” në Tv Klan. Ajo shprehet se ngjarja ka ndodhur në vitin e Jubileut, një lloj shenje e shenjtërisë së tij. Ai dëshironte shumë që ta përmbyllte, por fatkeqësisht nuk mundi.
Majlinda Frangaj: Papa vdiq në vitin e shenjtë sepse jemi në vitin e Jubileut të cilin ai e deshi kaq shumë por për fat të keq ai nuk arriti që ta përmbyllë vitin e Jubileut kështu që vdiq në një vit të shenjtë sepse sot këtu në Itali është Pasquetta, Pashka e vogël, kështu që jemi prapë në ditën e Pashkëve, dje dhe sot, kështu që ai vdiq në një ditë të shenjtë, në vitin e shenjtë. Ai vetë, ndoshta opinioni im personal, por një vdekje në një vit të rëndësishëm.
Thjeshtësia, karizma janë disa nga tiparet që ambasadorja Frangaj veçon te Papa Françesku. Ai zgjodhi si emër papal Françesk sepse kishte menduar menjëherë për Francesco D’Assisi, njeri i të varfërve dhe paqes, kauza që ai i mbrojti përgjatë papatit të tij. Frangaj kujton ditën e emërimit të tij më 13 mars 2013 që sërish reflektoi modestinë e Papës së ndjerë.
Majlinda Frangaj: Tymi i bardhë i 13 marsit kur doli, unë e kam ndjekur me shumë emocion çdo ditë nëse po del tym i bardhë apo tym i zi dhe atë pasdite po binte shi. Momentin që ai u shfaq te ballkoni dhe i ka mbetur të gjithëve në mendje, ai u prezantua thjesht me një “mirëmbrëma”. Që në fillim të emërimit ai zgjodhi thjeshtësinë shërbimin ndaj më të varfërve, shumë vlera që besoj duhet të vendosen edhe në vazhdimësi në praktikë, jo vetëm të kujtohen atë çka ai bëri, por të ecim në mësimet e tij.
Sipas dëshirës së Papës, trupi i tij do të varroset në bazilikën Santa Maria Maggiore. Nderimet do të bëhen në Vatikan./tvklan.al