TIRANË- Parlamenti vazhdon punimet prej 12 orësh, ku diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2016 dhe paketën fiskale. Opozita tha se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët.
Qeveria parashikon të mbledhë rreth 31 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhetin e 2016s, krahasuar me realizimin e këtij viti. Të ardhurat në total pritet të shkojnë në 417 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 452 miliard lekë. Buxheti i 2016 ka nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor, prej 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, çka bën të mundur që për herë të parë pas shumë vitesh rritje Shqipëria të ulë borxhin publik nga 72.6 për qind në 70.9 për qind të prodhimit kombëtar.