Një valë e re gripi po shkakton dyndje të pacientëve nëpër urgjenca në gjithë Europën, por jo vetëm.
Në Francë dhe Spanjë, mjekët flasin për rritje të shtrimeve në spital si pasojë e gripit, ku dominant është varianti B. Pacientët janë të të gjitha moshave, por rastet më të shumta janë fëmijët deri 15 dhe të moshuarit në të 60-at.
Ndikim kanë patur festat e fundvitit, ku njerëzit kanë patur kontakte të shtuara me njëri-tjetrin. Kulmi i përhapjes së infektimeve pritet të arrijë javën e ardhshme. Në Hungari, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kufizimeve.
Ndërsa në Rumani vetëm këtë javë janë regjistruar mbi 4 mijë e 100 raste, dyfishi i javës së kaluar. 4 persona humbën jetën nga komplikacionet që i shkaktoi gripi.
Rastet e gripit janë shtuar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku një nga variantet dominues është ai i shpendëve. Dyndje nëpër spitale janë regjistruar deri në Kinë.