Paraditen e sotme, pritet që biznesi i vogël të protestojë sërish para Bashkisë së Tiranës, kundër rritjes së taksave vendore. “Kryetari doli dhe tha që nuk rriten taksat, por faturat po na vijnë shumë të majme. Po na çojnë drejt falimentimit”, thanë përfaqësues të biznesnit në protestën e 19 Shkurtit nga ku lajmëruan edhe protestën e sotme në orën 10:00.
Taksa që ata kanë kundërshtuar më së shumti, e cila ka pësuar rritje 10-fish nga viti i shkuar, është tarifa për zënien e hapësirës publike. Zënia e hapësirës publike për qëllime biznesi, si vendosje mallrash jashtë vendit të tregtimit, vendosje tavolinash, sipërfaqe të zëna me platforma, sipërfaqe të rrethuara me vazo me lule, bimë dekorative, me kangjella, drurë dekorativë, kufizime me plastmasë dhe sende të tjera etj. të ngjashme me to, do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë çdo biznesi që operon në një prej 24 njësive administrative të Tiranës. Veç bizneseve, kjo rritje prek edhe tregjet publike, që administrohen nga njësitë bashkiake.