Ushtria izraelite ka hedhur fletëpalosje në Gaza, duke ofruar mbrojtje dhe një shpërblim për palestinezët që i kontaktojnë ata me informacione për pengjet e mbajtura nga Hamasi, në përpjekjen e fundit për të liruar më shumë se 200 persona të kapur gjatë sulmeve terroriste që vranë 1,400 njerëz më 7 tetor.
Fletëpalosjet tregojnë një fotografi të liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, të vdekur, të rrethuar me rrënoja dhe përfshijnë mesazhin: “Sinwari shkatërroi jetën tuaj. Ai u fsheh në një vrimë të errët dhe u eliminua duke ikur në panik.”
Më tej mesazhi vazhdon: “Hamasi nuk do të qeverisë më Gazën. Më në fund, ka ardhur rasti që ju të çliroheni nga tirania e saj. Kushdo që e lë armën dhe na i kthen të rrëmbyerit, ne do t’i lejojmë të largohen dhe të jetojnë në paqe”.
“Ndani informacione të verifikuara dhe të vlefshme për pengjet që mbahen në zonën tuaj,” thuhet më tej në broshurën e ushtrisë, e cila ofronte siguri dhe një shpërblim për çdo informator.
Premtimi u bë për herë të parë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të premten.
Janë 101 pengje ende të mbajtura në Gaza, thonë autoritetet izraelite, por rreth një e treta e tyre mendohet të jenë të vdekur.
Ndërkohë 11 anëtarë të së njëjtës familje u raportuan të vrarë në një sulm në kampin e refugjatëve në Maghazi në Gazan qendrore. Spitali i Martirëve Al Aksa raportoi se kishte marrë 11 trupa, duke përfshirë ato të tre fëmijëve dhe katër grave.