Ushtria izraelite dëshiron që njerëzit të largohen nga qyteti i Gazës përpara se të hyjnë në të. Sipas mediave të huaja, ushtria izraelite u ka thënë palestinezëve se evakuimi i qytetit të Gazës është “i pashmangshëm”, ndërsa forcat e saj përgatiten ta pushtojnë atë.
Në një postim në rrjetin social ‘X’ të mërkurën, zëdhënësi i ushtrisë për gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha se familjet që do të zhvendosen në jug do të “marrin ndihmën më bujare humanitare”.
Tanket izraelite hynë në një zonë të re të Qytetit të Gazës gjatë natës, duke detyruar më shumë banorë të largohen, thanë dëshmitarët.
Mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përparimeve të fundit të Izraelit, kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku ende jetojnë rreth një milion palestinezë.
Thirrja për evakuim vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të kryesojë një takim në Shtëpinë e Bardhë mbi një vizion pas luftës për Gazën.
Në fillim të gushtit, Izraeli njoftoi planet për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë Qytetin e Gazës, të cilin e përshkroi si bastionin e fundit të Hamasit.
OKB-ja dhe organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar se një ofensivë izraelite në qytetin e Gazës do të kishte një “ndikim të tmerrshëm humanitar”.
Vonë të martën, tanket hynë në lagjen Ibad al-Rahman, në periferi veriore të qytetit, duke shkatërruar disa shtëpi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.