Disa pamje të postuara në Telegram tregojnë pasojat e një shpërthimi pranë spitalit Al-Quds në Veri të Gazës.
Në fakt më herët, mjekët dhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze që punojnë në spital thanë se të dielën ushtria izraelite iu kërkoi të evakuoheshin menjëherë.
Megjithatë, Gjysmëhëna e Kuqe tha se brenda spitalit po trajtohen 400 pacientë dhe se zhvendosja e tyre do të ishte e pamundur.
Në platformën “X” nga spitali kanë raportuar se ka patur goditje të herëpashershme rreth 50 metra pranë spitalit
Marwan Jilani, drejtori i përgjithshëm i grupit tha se ka patur bombardime intensive rreth spitalit dhe se një raketë kishte rënë vetëm pak metra larg, duke dëmtuar dritaret dhe duke i detyruar njerëzit që strehohen në një pjesë të ndërtesës të zhvendosen në një tjetër.
Ai gjithashtu njoftoi se “OKB po përpiqet të sqarojë dhe ata po përpiqen të sigurohen që, nëse vërtet ka një urdhër për të anuluar, t’i komunikojë ushtrisë se ky spital është i mbrojtur.”