Shtatë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse në qendër të qytetit të Hersonit. Kështu tha administrata presidenciale ukrainase më 24 dhjetor.
Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Zyrës presidenciale të Ukrainës postoi të shtunën në rrjetin e tij në Telegram fotografi të njerëzve, në dukje të pajetë, në qendër të qytetit. Qyteti ishte çliruar kohët e fundit nga pushtimi rus.
“Rusët kanë kryer përsëri terror dhe kanë granatuar qendrën e qytetit”, tha ai. “Njerëz kanë vdekur, ndërtesa janë shkatërruar”.
Shumë njerëz kishin dalë në rrugë pasi ishte fundjavë, tha ai. Ukraina ka rimarrë Hersonin nga forcat ruse muajin e kaluar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin si një krim tjetër nga Rusia pak para Krishtlindjeve.
Ai ka paralajmëruar për sulme të mundshme ruse gjatë sezonit të festave dhe u ka bërë thirrje ukrainasve që të jenë vigjilentë ditët në vijim.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme ndaj infrastrukturës së energjisë, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë.