Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme në vendlindjen e tij në Derviçan, u transferua gjatë natës në Tiranë.
Mësohet se në automjetin që bëri shoqërimin e Kserës në policinë e Tiranës ka qenë edhe një prokuror. Transferimi i Kserës u bë pak pak orës 02:00 të ditës së sotme.
Ndalimi i Kserës nga punonjësit e policisë së Komisariatit të Gjirokastrës u bë dje jashtë një lokali në fshatin minoritar në Gjirokastër.
Një automjet i policisë ka shkuar pranë ambienteve të lokalit, duke i bërë të ditur ishministrit urdhrin për ndalimin e tij.
Ksera, ka kërkuar të njihet me arsyet duke iu drejtuar efektivëve të policisë me fjalët: “Unë nuk kam bërë gjë”.
Ndërsa, punonjësit e policisë i kanë kërkuar që të shkonte me ta pasi Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër për arrestimin e tij.
Pas prangosjes, Ksera është shoqëruar për në ambientet e
Komisariatit të Gjirokastrës.
Nga hetimet mbi e Prokurorisë së Tiranës për abuzimet në Ministrinë e Punës dhe Çështjes Sociale ka rezultuar se tetë persona përfshirë dhe ishministrin Spiro Ksera kanë kryer abuzime me detyrën.
Për këtë arsye, prokuroria e kryeqytetit ka lëshuar urdhër arresti për këta tetë persona. Deri tani është vënë në pranga ishministri Ksera dhe një ishpunonjës i ministrisë që ai drejtonte, Artemis Mene./Panorama.al