Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy trafikantë, të cilët janë kapur duke transportuar 4 klandestinë nga Hani i Hotit, në drejtim të Greqisë.
Në pranga është vënë N. N., 36 vjeç, banues në Krujë dhe E. C., 30 vjeç, banues në Lezhë.
36-vjeçari u arrestua në flagrancë në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në dalje të qytetit të Këlcyrës, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, kundrejt fitimit, 4 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme, nga Hani i Hotit, Shkodër, në drejtim të pikës së kalimit kufitar “Tre Urat”, Përmet.
Ata kishin qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për kontroll, por braktisi automjetin dhe u largua.
Shtetasi E. C. dyshohet se qarkullonte me automjetin tip “Toyota”, për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar shtetasin N. N., për prezencë të shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet dhe 2 celularë.