Ky është Gëzim Sinomataj, 22-vjeçari i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme me armë zjarri në qytetin e Vlorës.
I riu kishte dalë në ballkonin e shtëpisë së tij në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri”, kur u qëllua me një plumb në kokë. Sinomataj dyshohet se u qëllua me snajper nga një ndërtesë përballë.
Pak kohë pas ngjarjes, policia gjeti në flakë makinën e autorëve të dyshuar, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.
Gjatë ditës së hënë, policia shoqëroi të paktën 10 persona, kryesisht të afërm të 22-vjeçarit të cilët dhanë dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen.
Teksa nuk dihen shkaqet e këtij atentati, një prej pistave kryesore të ngjarjes është ajo e hakmarrjes. Viktima ishte djali i Sokol Sinomataj, ish-anëtar i bandës famëkeqe të Gaxhait.