Avokati Sokol Mëngjesi, i cili të mërkurën u dhunua nga tre persona, vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Mësohet se ai ndodhet në monitorim intensiv në reanimacion nga stafi mjekësor.
Sokol Mëngjesi, i cili është edhe avokat i ish-kryeministrit Sali Berisha, u godit për shkak të detyrës. Ai ka përfaqësuar në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë.
Procesi është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Por disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore.
Policia e Tiranës bëri të ditur se autorët e dhunës ndaj avokatit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia.
Ndërsa një person i katërt i quajtur Romario Tabaku ka ndihmuar autorët e dyshuar për t’i larguar nga vendngjarja me makinën Audi. Si organizator, Policia e Tiranës dyshon të jetë Dritan Nano, 58 vjeç të cilin e ka shoqëruar me iniciativë.
Një prej autorëve të kësaj ngjarje, Dorian Alia alias Agron Alia, është vetëdorëzuar në polici.
Ai ka deklaruar se ata nuk donin ta vrisnin avokatit, por vetëm ta frikësonin.
Megjithatë avokati Sokol Mëngjesi është dhunuar barbarisht duke u goditur me sende të forta e duke pësuar dëmtime të rënda në kokë.
Ndaj autorëve të ngjarjes është ngritur akuza e vrasjes së funksionarëve publikë të mbetur në tentativë./tvklan