Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, i cili u arrestua nga autoritetet serbe të premten në Merdarë, është lënë në paraburgim për një muaj. Lajmin e konfirmoi për KosovaPress avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi teksa shtoi se do të ushtrohet e drejta për ankesë.
“Ai ndodhet në Beograd në qendrën e paraburgimit nga Kushumli e kanë dërguar. Mbrëmë vonë unë kam marrë informacion nga avokati i caktuar nga shteti serb që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tash ka me ushtruar ankesë”, ka deklaruar avokati.
Dakaj u arrestua të premten nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare. Prokuroria serbe pretendon se Dakaj ka kryer krime lufte si 19 vjeçar në vitin 1999.