Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest me burg për Dafina Tresën, administratoren e një baze prostitucioni online në Tiranë që u zbulua tre ditë më parë.
Gjatë operacionit të koduar “chat line 3”, u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, 5 vajza dhe Artur Bakalli i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.
Ndaj pesë vajzave të cilat ushtronin prostitucionin online, gjykata vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie. Administratorja Dafina Tresa akuzohet edhe për rekrutim të vajzave të reja 17 deri në 21 vjeç që punonin në këtë bazë prostitucioni online.
Para trupit gjykues, ajo ka mohuar akuzat. “Vajzat e bënin çdo gjë me dëshirë. Nuk e dija që ky aktivitet ishte i paligjshëm”,ka thënë ajo.
Apartamenti ku zhvillohej ky aktivitet ilegal ndodhej në Bulevardin ‘Bajram Curri’. Aty u sekuestruan 11 kompjuterë dhe 16 lodra seksi. Ky është aksioni i tretë i policisë së kryeqytetit në goditjen e grupeve që ushtrojnë aktivitete te tilla.