Policia e Tiranës vijon hetimet lidhur me shpërthimin e rreth 500 gr C4, një javë më parë në një pallat 13katësh në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Margarita Tutulani”, ndërsa zyrtarisht Policia e Tiranës tha se sasia e eksplozivit ishte vendosur në katin e pestë të pallatit, afër me banesën e një 55 vjeçari. Ditën e ngjarjes, burime pranë policisë bënë me dije se banesa i përkiste shtetasit Naim Kaçorri.
Ndërkohë, ditën e djeshme, burimet e policisë thanë për “GSH” se pista kryesore e hetimit është përqendruar mbi faktin se autori, ende i paidentifikuar, mund të ketë ngatërruar objektiv. Kjo, pasi sipas hetimeve të policisë, ka rezultuar se familja Kaçorri nuk ka pasur probleme të hapura me ndonjë person, shkruan Gazeta Shqiptare.
Fillimisht, 55 vjeçari u hetua mbi faktin se Naim Kaçorri më herët ka mbajtur disa detyra të rëndësishme, ku ka qenë edhe drejtor i Postës në Dibër, ndërsa bashkëshortja e tij është doktoreshë. Hetimi nisi edhe ndaj djalit të tij që jeton në Spanjë, por rezultoi se ky person nuk ka pasur probleme në shtetin e huaj.
Sakaq, hetuesit e çështjes nisën hetimet edhe për disa persona të tjerë që banojnë pikërisht në të njëjtin pallat. Konkretisht, burime pranë uniformave blu sqaruan se u hetuan dy djem të rinj nga qyteti i Fierit, të cilët punonin në Tiranë dhe jetonin me qira në pallatin që ndodhi shpërthimi, por rezultoi të mos ishin ata objektivi i atentatit.
Të njëjtat burime pohuan se është duke u hetuar edhe familja që jeton përballë banesës së familjes Kaçorri, për faktin se autori mund të ketë ngatërruar edhe derën e apartamentit. Si pasojë e shpërthimit pati dëme të shumta materiale, kryesisht nga kati i tretë deri në atë të shtatë të pallatit, dhe fatmirësisht jo të dëmtuar në njerëz.