Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas shpërthimit me tritol në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj në Shkodër.
Në një postim në faqen zyrtare në “Facebook”, KLGJ thotë se këto akte cenojnë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Teksa dënon ngjarjen, KLGJ i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Në përfundim të reagimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mbështetjen për gjyqtarët si dhe kërkon më shumë siguri në mënyrë që ata të ushtrojnë detyrën e tyre pa frikë dhe kërcënime.
Reagimi i KLGJ
Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.