Përballja e Varshavës nuk ka kaluar e qetë për tifozët e kombëtares shqiptare. Katër pjesëtarë të tifo-grupit, Tifozat ‘Kuq e Zi’ janë ndaluar nga policia, pasi dyshohet se kanë krijuar trazira në kryeqytetin polak.
Përmes një statusi në rrjetet sociale “TKZ” ka kërkuar nga institucionet shqiptare ndërhyrjen për të liruar anëtarët, të cilët janë arrestuar pas sfidës së humbur përballë Polonisë.
“Pasioni ynë tejkalon çdo lodhje, sakrificë ndërsa e kemi detyrim që të jemi në çdo vend ku është Shqipëria. Katër anëtarët tanë janë plotësisht të pafajshëm”, thuhet mes të tjerash në postimin e tyre.
Tifo-grupi TKZ premton se pavarësisht situatës, mbështetja për kombëtaren kuqezi do të vazhdojë të jetë e madhe, duke konfirmuar prezencën në ndeshjet e radhës./ Klan News