Zëvendës-kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një reagim për mediat, tha se transporti i mbetjeve të rrezikshme të Kurum u procedua nga koncesionarët evropianë që operojnë në Portin e Durrësit.
“I bëj thirrje mediave të tregohen të kujdesshme teksa analizojnë këtë çështje, që përveç delikate, është shumë e komplikuar nga ana juridike dhe proceduriale. Analizat që kam dëgjuar afektojnë imazhin e Shqipërisë. Duhet të presim vendimet sa i përket kësaj çështjeje të rëndësishme mjedisore. Çështja ka marrë emrin: Porti i Durrësit. Porti dhe mbetjet janë dy gjëra të ndryshme. Kam parë që përfshihet Autoriteti Portual dhe disa ministri. Transporti i mbetjeve ka nisur që në 1998, ka një protokoll të mirëfilltë, nuk është asgjë e re, ka tranzitim dhe transportim të mbetjeve të rrezikshme që janë të koduar në bazë të kodeve të transportit të këtyre mbetjeve.
Ajo që është më e rëndësishme është se Autoriteti Portual nuk ka lidhje me këtë proces, se janë procesuar nga koncesionarët evropianë që operojnë në Portin e Durrësit. Janë dy entitete konkurrente që ta keni të qartë”,-tha Balluku.