Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka njoftuar se partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit kanë afat deri më datë 26 Shtator për të dorëzuar raportin mbi të ardhurat e përfituara, shpenzimet e kryera, bilancet apo detyrimet që partia ka pasur qysh nga caktimi i datës së zgjedhjeve e deri në ditën e zgjedhjeve.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha në një deklaratë për mediat se deri më tani janë vetëm 5 parti që e kanë dorëzuar raportin. Ajo shtoi gjithashtu se ky është një detyrim ligjor për partitë në kuadër të transparencës e cila është një çështje e trajtuar gjerësisht në raportin e OSBE-së.
“KQZ nisur nga fakti që për herë të parë partitë politike duhet të përfshijnë raportet financiare të fushatës së kandidatëve ka komunikuar në mënyrë të vazhduar me financierët e partive pritke duke iu kërkuar zbatimin e ligjit. Deri tani nga 36 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 Qershorit pranë KQZ e kanë dorëzuar raportin vetëm 5 parti politike”.
Sipas zëdhënëses, “KQZ do të marrë masa administrative ndaj partive që nuk e respektojnë ligjin”
“Brenda datës 26 Nëntor, audituesit ligjor duhet të depozitojnë raportet e monitorimit të fushatës ligjore dhe brenda datës 16 dhjetor 2019 raportet e auditivit financiar të partive politike. Raportet e dorëzuara në KQZ do të publikohen në faqen zyrtare brenda 10 ditëve nga dorëzimi i tyre” tha Hoxhaj. /Opinion.al