Një fëmijë 6-vjeçar ka humbur jetën pasi i ka rënë në kokë një portë hekuri. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Blliçe, ku fëmija kishte shkuar me psuhime tek daja.
Policia sqaron se: Rreth orës 10.15, jemi njoftuar nga urgjenca e spitalit Rajonal Peshkopi, se është sjellë nga familjarët pa shenja jete në spital një fëmijë 6 vjeçar. Menjëherë është ngritur grupi hetimor duke shkuar në ambjentet e spitalit, ku ka rezultuar se nga kqyerja paraprake e trupit të fëmijës e kryer nga eksperti mjeko-ligjor janë konstatuar dëmtime fizike në kokë.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se fëmija A.S, 6 vjeç banues në lagjen “Sule”, njësia administrative Fushë-Çidhën, Dibër, kishte shkuar tek shtëpia e dajës së vet në fshatin Blliçe-Dibër, dhe duke luajtur në oborr me portën e hekurit me shina është shembur porta duke e goditur në kokë fëmijën 6 vjeçar. Si pasojë e goditjes fëmija A.S, ka humbur jetën.
Ndërkohë grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.