Maqedonia e Veriut do t’i japë sot lamtumirën e fundit viktimave të tragjedisë së Koçanit.
Kujtojmë se të paktën 59 njerëz vdiqën dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Koçan, në orët e hershme të 16 marsit.
Trupat e të vdekurve do të varrosen në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë Koçanin, Shtipin, Shkupin, Strumicën dhe fshatin Obleshevë.
Qeveria maqedonase ka shpallur shtatë ditë zie për këtë tragjedi, ku shumica e viktimave ishin të rinj.
Autoritetet kanë arrestuar 23 të dyshuar deri tani, ku 11 prej të cilëve ndodhen në paraburgim.
Është zbuluar se klubi operonte në mënyrë të paligjshme, nuk kishte dokumente të vlefshme për punë, nuk dispononte leje për përdorimin e piroteknikës dhe nuk kishte nënshkruar kontratë me grupin muzikor.
Ndër shkeljet e konstatuara është edhe lejimi i të miturve në klub.
Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po përformonte.
Ndërkohë, të gjithë të lënduarit në zjarrin e Koçanit po mjekohen në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.