Detaje rrëqethëse janë zbuluar nga tragjedia në Kosovë, kur tre fëmijë të moshave 14 dhe 15 vjeç humbën jetën pasi u shemb shtëpia. Fshati Jabllanicë i Gjakovë, aty ku ndodhi ngjarja, është mbuluar nga dhimbja. Një banor i fshatit ka rrëfyer momentet rrëqethëse të kërkimit të tyre nën rrënoja.
Përparim Ademaj tregoi se ishte njoftuar në telefon që prej orës 16:00 për zhdukjen e fëmijëve. Ai rrëfeu se ishte bashkuar me prindërit e fëmijëve kur kanë vënë re shtëpinë e shembur.
“Duke folur me ta e pamë një objekt që është shembur. Duke i thirrur në telefon, i kemi dëgjuar telefonat duke ju dridhur ndër plloçë”, tha ai për mediat në Kosovë.
E aty filloi gara më kohën, por kjo ishte e kotë. Banorët e fshatit iu bashkuan përpjekjeve për të shpëtuar fëmijët, por ata u nxorrën nga aty pa shenja jete.
“Me një traktor duke i hequr pjesë-pjesë i kemi nxjerrë pa shenja jete tre djem të rinj”, tha banori. Mediat shkruajnë se objekti në fjalë që u shemb ka funksionuar si dyqan dhe ka qenë i pabanuar prej vitesh.