Mark Frroku ndër të tjera është duke u gjykuar edhe për ndërtim pa leje. Bëhet fjalë për hotelin tek rruga e Durrësit, në hyrjes të rrugës së ambasadave.
Në seancën e sotme ndaj tij ka dëshmuar ish-shoku i afërm dhe kolegu, Tom Doshi. Kujtojmë se Doshi dhe Frroku prishën miqësinë pasi Frroku nuk pranoi se historinë e Doshit për kërcëmim dhe njohjen me Durim Bamin.
Por duket se sot gjërat kanë ndryshuar. Doshi e ka mbrojtur në sallën e gjyqit Frrokun. Në cilësinë e personit që i ka shitur hotelin, Doshi ka thënë se “kam pasur kontratë shit-blerje me Mark Frrokun. I kam shitur një hotel në rrugën e Durrësit, hoteli kati i fundit është i legalizuar. Në hotel nuk ka pasur asnjë shtesë”.
Më tej, Doshi ka sqaruar se “aty nuk ka pasur ndërtim pa leje. Ka qenë vetëm një tendë. Nuk e di në ç’baza e ka ngritur prokuroria akuzën. Po të ishte kështu, gjysma e Tiranës duhet të ishte në burg”.
Gjatë seancës, prokurori iu drejtua Doshit duke e quajtur “të pandehur”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit.
-Ju pëlqen shumë që të më thërrisni ‘i pandehur’.- tha ai.
-Ju kërkoj ndjesë, është lapsusi im,- u përgjigj prokurori.